|
|
Ivanko beson se edhe UNMIK-u do të jetë pjesë e bisedave për çështje teknike mes Prishtinës dhe Beogradit |
|
Në dialogun Prishtinë-Beograd për të ashtuquajturat çështje teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e UNMIK-ut, përkrah atyre të misioneve të tjera ndërkombëtare, mirëpo pasi të jetë definuar roli i saktë i tij në këtë dialog. Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i UNMIK-ut, Alexander Ivanko. Ndërkohë, shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, është kthyer të premten nga New Yorku ku kishte zhvilluar një takim me ministrin e Jashtëm serb, Vuk Jeremiq. Zëdhënësi i UNMIK-ut, Ivanko tha se "gjëja e parë që ambasadori Zannier planifikon të bëjë është të njoftojë qeverinë këtu për takimin që ka mbajtur me Jeremiqin”.
|
PDK-ja e AAK-ja vazhdojnë përpjekjet për t’ia marr njëra tjetrës elektoratin |
|
 Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, po vazhdojnë përpjekjet që t’ia marrin njëra-tjetrës elektoratin duke shpërndarë libreza. Kështu PDK-ja në Gjilan ka paralajmëruar që sot do të bëhet aderimi i kryesisë së AAK-së së Gjilanit në PDK, ndërsa AAK-ja konsolidimin e kryesisë së re të degës së partisë në këtë qytet. Nga ana tjetër, kreu i AAK-së Ramush Haradinaj, do të shpërndajë sot në Deçan rreth 1500 libreza për anëtarët e rinj të partisë, të cilët kanë qenë anëtarë të partive të tjera përfshirë edhe të PDK-së, njofton nëpërmjet një komunikate shtypi AAK-ja. Kjo luftë për libreza mes këtyre dy partive ka nisur para disa javësh kur në PDK kaluan AAK-ja e Vushtrrisë dhe e Drenasit.
|
PSD-ja e quan joprofesional raportin për punën njëvjeçare të qeverisë Thaçi |
|
Raporti për punën njëvjeçare të Qeverisë është joprofesional, i stërngarkuar me detaje të panevojshme, me përshkrime të punëve rutinore dhe përmban fare pak substancë. Ky është vlerësimi i Partisë Socialdemokrate për raportin e punës së Qeverisë, i cili është bërë publik gjatë një konference për media. Sipas zëdhënësit të PSD-së, Gëzim Kasapolli, është absurde se si në raport nuk përmendet asnjë dështim i Qeverisë, edhe pse në shumicën e fushave sipas PSD-së, dështimet janë shumë evidente. PSD, gjithashtu ka kritikuar Qeverinë për veprimin e fundit, për dhënien e 5.7 milionë eurove kompanisë izraelite “Saatchi & Saatchi” për realizimin e një reklame për televizioni CNN. Sipas PSD-së, ky është investim i paarsyeshëm, sepse imazhi i Kosovës nuk mund të pasqyrohet me një reklamë.
|
Muharrem Xhemajli kryetar i veteranëve të UÇK-së |
Kryetar i veteranëve të UÇK-së është zgjedhur Muharrem Xhemajli nga Drenasi. Këshilli Drejtues i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot ka zgjedhur edhe kryesinë prej 15 anëtarëve. Kryesia e re pas konstituimit ka zgjedhur dy nënkryetarë, Fatmir Shurdhajn nga Malisheva dhe Smajl Elezaj nga Peja. Kurse, për sekretar Faton Klinakun nga Vushtrria. Javën e kaluar veteranët kanë mbajtur Kuvendin elektoral, nga i cili ka dalë Këshilli drejtues i organizatës. |
Mentor Shala zgjedhet kryetar i AGKP-së |
Mentor Shala është zgjedhur kryetar i Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës. Në kuvendin elektoral të kësaj organizate janë zgjedhur edhe gjashtë anëtarë tjerë të bordit, të cilët janë Gazmend Elshani, Leonard Kërçuku, Drilon Zogaj, Besnike Salihu, Fidan Ramaj dhe Bul Salihu. Pas marrjes së besimit nga kolegët, Shala është zotuar se do të punojë që t’i përfaqësojë sa më denjësisht dhe se objektiv kryesor do të ketë mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve dhe zhvillimin e gazetarisë profesionale. |
Surroi kthehet nga Haga |
Publicisti Veton Surroi ka arritur sot pasdite në aeroportin e Prishtinës pasi që dje ka përfunduar dëshminë e tij në Tribunalin e Hagës kundër ish-zyrtarit të lartë të policisë së Serbisë, Vlastimir Gjorgjeviq, i cili akuzohet për vrasjen, dëbimin dhe keqtrajtimin e civilëve shqiptarë në Kosovë. Me këtë rast Surroi ka thënë se ia vlen të theksohet se ekziston një paradoks për sa i përket çështjes së Kosovës në Tribunalin e Hagës. Pas kthimit nga Haga, Surroi ka folur edhe për kontestimin e pavarësisë së Kosovës në gjykatën e Hagës. Ai ka theksuar se institucionet e Kosovës kanë bërë shumë pak që të paraqesin krimet e luftës para Tribunalit të Hagës. Surroi në Hagë gjatë dëshmisë së tij kundër Gjorgjeviqit, ka dhënë detaje të hollësishme se si forcat policore e ushtarake serbe kanë vrarë dhe kanë dëbuar shqiptarët nga shtëpitë e tyre. Ish-gjenerali i policisë, Vlastimir Gjorgjeviq, është i akuzuari i fundit që do të përballet me procesin gjyqësor në Hagë për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999. Nëse Gjorgjeviqi shpallet fajtor nga gjykata, mund të marrë dënim me burgim të përjetshëm. |
Qeveria dhe opozita i kundërpërgjigjen njëra-tjetrës për 20-milionëshin |
Banorëve të Hadës qe pesë vjet nuk u janë kompensuar pronat, ndërsa një pjesë e tyre vazhdon të jetojë ende aty, edhe pse është shpallur zonë e rrezikshme për banim. Qeveria dhe opozita i kundërpërgjigjen njëra-tjetrës, për 20 milionëshin e dedikuar banorëve të Hadës. Qeveria Thaçi dyshon se janë keqmenaxhuar 20 milionë eurot, që janë ndarë për ata banorë. Por, këtyre deklaratave u është përgjigjur opozita, e cila ka drejtuar qeverinë paraprake. I pari i AAK-së thotë se kjo po bëhet për të larguar vëmendjen nga situata e tashme, duke përmendur edhe korrupsionin e institucioneve. |
|
|
|
|
|
|